Mentor Shala: Ministri Hoti po kërcënon RTK’në – do të ankohem në...

Mentor Shala: Ministri Hoti po kërcënon RTK’në – do të ankohem në Unionin Europian të Transmetuesve

112
0
SHPËRNDAJE

Ministri i Financave Avdullah Hoti e ka kërcënuar seriozisht RTK’në përmes një letre dërguar Kryetarit të Kuvendit që Qeveria më nuk do ta financojë Transmetuesin Publik, duke filluar nga viti i ardhshëm. Ai në mënyrë të prerë kërkon nga Kuvendi që të gjejnë një formë tjetër të financimit pasi që në kornizën afatmesme të shpenzimeve nuk është paraparë financimi i RTK’së.

Drejtori i Përgjithshëm i RTK i është pergjigjur këtij presioni të fundit politik në drejtim të RTK’së. Drejtori Shala ia ka kujtuar Ministrit Hoti se RTK nuk financohet nga Qeveria por nga Kuvendi. Qeveria vetëm e kryen transferin e mjeteve.

Sipas Shalës një ministër i financave nuk ka asnjë të drejtë të merret me fatin e transmetuesit politik dhe sipas tij kjo s’është gjë tjetër vetëm një vazhdimësi e presionit për të pasur sa më shumë kontroll në RTK.

Sipas Shalës ky është kërcënimi më serioz që i ka ndodhur RTK’së nga një zyrtarë qeveritar deri më tash. Kuvendi i Republikës së Kosovës është themelues i RTK’së dhe i përket atij të vendos për fatin e Transmetuesit Publik dhe në asnjë mënyrë një zyrtari qeveritarë në këtë rast Avdullah Hotit.

Për këtë Drejtori i RTK’së ka paralajmëruar se do njoftojë Unionin Evropian të Transmetuesve, Komisionin Evropian dhe të gjithë mekanizmat tjerë relevant. Shala ka shtuar se në vend të kërcënimeve zyrtarët qeveritarë por edhe i gjithë spektri politik në Kosovë do të duhej të shqetësoheshin se si me çdo kusht janë duke tentuar ta rrënojnë transmetuesin publik.

Por do ta kenë shumë të vështirë pasi që në këtë betejë politika po ballafaqohet me profesionistë të cilët nuk do ta lejojnë as ministrin e financave Avdullah Hotin dhe askënd tjetër që nëpërmjet formave shantazhuese si ky kërcënimi i fundit ta degradojnë RTK’në. RTK nuk është e Qeverisë as e Opozitës. Është e Republikës së Kosovës!