ARTIKUJT E FUNDIT

0

Ministri i Financave Avdullah Hoti e ka kërcënuar seriozisht RTK’në përmes një letre dërguar Kryetarit të Kuvendit që Qeveria më nuk do ta financojë Transmetuesin Publik, duke filluar nga viti i ardhshëm. Ai në mënyrë të prerë kërkon nga Kuvendi që të gjejnë një formë tjetër të financimit pasi që në kornizën afatmesme të shpenzimeve nuk është paraparë financimi i RTK’së.

Drejtori i Përgjithshëm i RTK i është pergjigjur këtij presioni të fundit politik në drejtim të RTK’së. Drejtori Shala ia ka kujtuar Ministrit Hoti se RTK nuk financohet nga Qeveria por nga Kuvendi. Qeveria vetëm e kryen transferin e mjeteve.

Sipas Shalës një ministër i financave nuk ka asnjë të drejtë të merret me fatin e transmetuesit politik dhe sipas tij kjo s’është gjë tjetër vetëm një vazhdimësi e presionit për të pasur sa më shumë kontroll në RTK.

Sipas Shalës ky është kërcënimi më serioz që i ka ndodhur RTK’së nga një zyrtarë qeveritar deri më tash. Kuvendi i Republikës së Kosovës është themelues i RTK’së dhe i përket atij të vendos për fatin e Transmetuesit Publik dhe në asnjë mënyrë një zyrtari qeveritarë në këtë rast Avdullah Hotit.

Për këtë Drejtori i RTK’së ka paralajmëruar se do njoftojë Unionin Evropian të Transmetuesve, Komisionin Evropian dhe të gjithë mekanizmat tjerë relevant. Shala ka shtuar se në vend të kërcënimeve zyrtarët qeveritarë por edhe i gjithë spektri politik në Kosovë do të duhej të shqetësoheshin se si me çdo kusht janë duke tentuar ta rrënojnë transmetuesin publik.

Por do ta kenë shumë të vështirë pasi që në këtë betejë politika po ballafaqohet me profesionistë të cilët nuk do ta lejojnë as ministrin e financave Avdullah Hotin dhe askënd tjetër që nëpërmjet formave shantazhuese si ky kërcënimi i fundit ta degradojnë RTK’në. RTK nuk është e Qeverisë as e Opozitës. Është e Republikës së Kosovës!

0

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj thotë se protestat janë të pashmangshme për të parandaluar pushtetin abuziv të koalicionit PDK-LDK. Ai tha se opozita njëherë po vazhdon me peticion kundër qeverisjes, për të kaluar më pas në fazën tjetër të veprimit, e që janë protestat.

Haradinaj vazhdon të këmbëngul se dy marrëveshjet e fundit të Qeverisë, njëra me Serbinë dhe tjetra me Malin e Zi, janë të dëmshme dhe duhet të parandalohen.

Haradinaj ka thënë se opozita e bashkuar njëherë po vazhdon kundërshtimin nëpërmjet peticionit, ndërsa më pas do të shkohet në protesta të fuqishme.

Ai sërish ka hedhur akuza të ashpra kundër marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

“Kish qenë mençuri prej kryetarit të Qeverisë që të pezullojë këtë kryetar të komisionit, ose të ngrijë aktivitetet e tij derisa gjyqësori, prokuroria nuk jep versionin e vet se a është ky njeri i inkriminuar në vepra kriminale”, ka thënë Haradinaj për Murat Mehën, duke shtuar se vendimet e tij duhet të shfuqizohen sa më parë.

0

Presidenti rus, Vladimir Putin ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së xhamisë më të madhe në Europë, e cila është ndërtuar në Moskë.
Në mesin e të ftuarve në këtë ceremoni, ishin edhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan dhe presidenti palestinez, Mahmud Abbas.

“Kjo xhami do të jetë një qendër e rëndësishme shpirtërore për myslimanët në Moskë dhe në gjithë Rusinë. Do të jetë një burim për edukimin dhe përhapjen e ideve humanizmit si dhe vlerave të vërteta të islamit”, ka thënë Putin.

0

Pavarësisht rritjet së numrit të nxënësve në Kosovë, me theks të veçantë gjinisë femërore, numri i meshkujve që vijojnë shkollimin e mesëm të lartë është më i lartë se ai i femrave.

 

Sipas statistikave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), për vitin shkollor 2014/2015, nga 83 mijë e 743 nxënës që e kanë vijuar arsimin e mesëm të lartë, 44 mijë e 385 nxënës janë të gjinisë mashkullore dhe 39 mijë e 358 nxënës janë femra.

Sipas statistikave të ASK-së del se numri më i madh i nxënësve që vijojnë shkollimin e mesëm të lartë është në klasën e XI-të, për të vazhduar me klasën e 10 dhe në fund në klasën e XII-të, transmeton Telegrafi.

Klasën e XI-të e vijojnë 28 mijë e 326 nxënës, derisa klasën e X-të e vijojnë 28 mijë e 223 nxënës. Klasa e XII-të vijohet nga 27 mijë 141 nxënës.

Sipas të dhënave të ofruara nga ASK për vitin shkollor 2014/2015, del se shkollat profesionale në Kosovë prijnë me numrin e nxënësve, ku numri i tyre është 41 mijë e 940 nxënës, derisa gjimnazet frekuentohen nga 41,803 sosh.

Nga ana e përkatësisë etnike, numri i nxënësve që vijojnë mësimin në arsimin e mesëm të lartë është: shqiptarë – 81,545, boshnjakë – 959, turq – 670, ashkalinj – 211, serb – 195, egjiptianë – 102, romë – 51, goranë – 5 dhe të tjerë – 5.

Sipas statistikave të ASK- së, numri i mësimdhënësve në arsimin e mesëm të lartë, në vitin shkollor 2014/2015, është 5358, ku numri i mësimdhënësve meshkuj është 3277, derisa numri i mësimdhënësve që i takojnë gjinisë femërore është 2081.

Numri i atyre që shërbejnë në administratë në kuadër të institucioneve që përfshijnë arsimin e mesëm të lartë është 341 punëtorë, ku edhe këtu prijnë meshkujt me 267 vende pune, derisa femrat kanë 74 vende pune.

Sipas ASK-së, për vitin shkollor 2014/2015, numri i nxënësve që e kanë ndjekur arsimin e mesëm të lartë në sektorin privat del të jetë 20476 nxënës, nga ta 1065 nxënës janë femra dhe 1401 janë meshkuj.

 

0

Diaspora e Bashkuar Maqedonase ka shprehur shqetësimin rreth platformës së përbashkët të shqiptarëve në Maqedoni si dhe për ndërhyrjen e kryeministrit shqiptar Edi Rama në këtë proces, njofton agjencia e lajmeve INA.
Kjo organizatë, e cila i quan shqiptarët pakicë, kërkon bashkimin e dy partive më të mëdha maqedonase për të ndaluar federalizimin e vendit, gjuhën shqipe si dhe ndërhyrjet e Tiranës zyrtare në punët e brendshme të shtetit maqedon.

Madje, ata kërkojnë edhe dënimin e kryeministrit Rama, i cili sipas tyre ka kërkuar ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë.

Një kërkesë e cuditshme e kësaj organizate është edhe ndalimi i themelimit të partive me karakter etnik në Maqedoni.

0

Ministria e arsimit ka njoftuar se pushimi nuk do të shtyhet dhe se shkolla do të filloj ditën e mërkurë, raporton presheva.com.

Pushimi është shtyrë për dy ditë dhe nxënësit përsëri do ti kthehen bankave shkollore me 11 janar.

0

Qeveria shqiptare ka marrë në emër të çdo qytetari një borxh prej 382 650 lekësh. Borxhi për frymë ka ardhur në rritje të vazhdueshme që prej vitit 2010, edhe pse ritmi i rritjes së tij është më i ulët për vitet 2016-2017. Në terma absolutë, viti 2017 do të shënojë vlerën më të lartë të këtij treguesi me 382 650 lekë, apo 56% më shumë së në 2010-ën.

Kështu, një familje mesatare prej katër personash do të mbartë një borxh prej 1 530 600 lekësh në 2017-ën, nga 980 604 lekë në vitin 2010.

Të dhënat janë publikuar në një analizë të detajuar të ‘Open Data Albania’, ku mësohet se politikat për mbajtjen nën kontroll të borxhit në dy vitet e fundit kanë dhënë efektet e tyre në frenimin e rritjes së shpejtë që po përjetonte stoku i borxhit dhe borxhi për frymë. Viti 2014 shënoi vitin me rritjen më të lartë të stokut të borxhit me 10.49%. Në vitin 2016, ky nivel ra në 3.37%, ndërsa në vitin 2017 parashikimet flasin për 2.29% kundrejt vitit të mëparshëm. Ndërkohë në viti 2017 pritet ta gjejë vendin tonë me 24.7 miliardë lekë më shumë borxh se në 2016- ën dhe me 387.5 miliardë lekë më shumë se në 2010- ën. ‘Open Data Albania’ ka hulumtuar mbi nivelin e parashikuar për borxhin publik për frymë në vitin 2017. Të dhënat janë analizuar në formë krahasimore për periudha 2010–2017. Borxhi publik për frymë është një tregues që llogaritet si raport i borxhit total të marrë dhe ende të pashlyer nga shteti shqiptar me popullsinë në një kohë të caktuar. ‘Open Data Albania’ ka marrë në shqyrtim ecurinë e këtij indikatori në vitet 2010-2017.

KOSTOT E BORXHIT

*‘Open Data Albania’ ka hulumtuar edhe mbi kostot e borxhit publik për frymë. Ky është një idikator që llogaritet si raport i shumës së interesave që paguhen nga buxheti i shtetit për borxhin e marrë dhe ende të pashlyer me popullsinë e vendit në një vit të caktuar. Ecuria e kostos së borxhit për frymë ka pësuar oshilacione të ndryshme ndër vite, duke reflektuar sipas rastit jo vetëm nivelin e stokut të borxhit, por edhe shtrenjtësinë e tij nëpërmjet rritje/uljes së normës së interesave apo lëvizjet e kursit të këmbimit. Nga një trend rritës për vitet 2010-2013, vitet 2014- 2015 u shfaqën me rënie të kostos së borxhit, si pasojë e uljes së normave të interesit të tregut të brendshëm, kursit të këmbimit lekë/ euro dhe uljes së kontigjencave për garancitë.

Trendi ndryshoi në vitin 2016, ku kostoja e borxhit për frymë ishte 14 899 lekë apo 11.5% më shumë se në vitin 2015, pasi Ministria e Financave parashikonte një shtrenjtim të borxhit të jashtëm dhe në fakt kjo vlerë nuk u rishikua as gjatë ndryshimeve që iu bënë buxhetit 2016 nëpërmjet akteve normative. VITI 2017 Viti 2017 prezantohet me një rënie të kostos së borxhit për frymë, duke shkuar në 14 569 lekë, 2.22% më pak se në 2016-ën, edhe pse kemi një rritje të stokut të borxhit në terma absolut.

Ky nivel në rënie i kostos së borxhit vjen falë normave të pritshme të interesit në tregun e brendshëm, të cilat parashikohen të jenë ende nën nivelin mesatar të tri viteve të fundit. Edhe pse gjatë vitit 2017 vlerësohet të ketë një rritje të interesave të borxhit të jashtëm, por edhe të borxhit të brendshëm, Ministria e Financave mendon se këto efekte do të japin ndikimet e tyre në buxhet vetëm në vitet 2018-2019.

0

Kryesia e Partisë Demokratike Shqiptare në mbledhjen e mbajtur me datë, 09. Janar 2017, me rastin e arrestimit të ish kryeministrit të Republikës së Kosovës, kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës z. Ramush Haradinaj, sjell këtë:

R E A G I M

Partia Demokratike Shqiptare shprehë indinjatë të thellë dhe reagon ashpër ndaj arrestimit të kryer ndaj ish kryeministrit të Republikës së Kosovës, kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës z. Ramush Haradinaj, më datë 04.Janar 2017, nga autoritetet franceze me fletë arrest ndërkombëtarë të lëshuar nga Republika e Serbisë.
PDSH konsideron se lëshimet e fletë arresteve ndërkombëtare ndaj luftëtarëve të lirisë si në Kosovë ashtu edhe në Luginë të Preshevës janë të planifikuara dhe me motive politike nga ana e institucioneve të Serbisë, që kanë për qëllim destabilizimin e situatës politike dhe të sigurisë në Republikën e Kosovës, si dhe dëbimin e shqiptarëve-luftëtarëve të lirisë nga Lugina e Preshevës.
Institucionet serbe akoma nuk kanë proceduar dhe ndriçuar rastet e vrasjeve dhe kidnapimeve të qytetarëve shqiptarë në Luginë të Preshevës, të ndodhura që nga viti 1999 e këtej, në anën tjetër të njejtat institucione merren me fletë arreste ndërkombëtare ndaj shqiptarëve, duke dëshmuar se nuk kanë gatishmërinë e normalizimit të raporteve ndëretnike shqiptaro-serbe në rajon.
Partia Demokratike Shqiptare apelon te faktori ndërkombëtarë, Ambasada e Francës dhe e BE-së, të akredituara në Beograd, që të reagojnë dhe monitorojnë situatën e krijuar pas këtij arrestimi, të ndikojnë në lirimin e pakusht të z. Ramush Haradinaj, që ti bëjnë trysni qeverisë së Serbisë dhe institucioneve të saj në tërheqjen e të gjitha fletë arresteve politike përmes Interpolit ndërkombëtarë. Njëkohësisht të kërkojnë zbardhjen e vrasjeve dhe kidnapimeve të qytetarëve shqiptar në Luginë të Preshevës, të tëra këto në shërbim të normalizimit të raporteve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve si parakusht për paqë të qëndrueshme në Ballkanin perëndimorë.
Kryetari i PDSH-së
Dr.sc. Ragmi Mustafa